Trajneri i fitnesit Engjëll Maliqi, tregon në detaje se si duhet ndërtuar një trup i definuar

Se ushtrimet fizike dhe stili i shëndetshëm i jetesës janë gjëra esenciale për një shëndet të mirë, kjo është dëshmuar ndoshta edhe mijëra herë nga shkencëtarë të njohur botërorë. Por këto dyja kërkojnë përkushtim, motivim dhe durim, të cilat jo çdo njeri mund t’i posedojë.

Engjëll Maliqi, 23 vjeçar nga Prishtina, është në mesin e personave të cilët i posedojnë ato karakteristika, e i cili është tejet i dhënë pas fitnesit – fushë me të cilën merret tash e katër vite.

Fitnesin, siç tregon Maliqi, e kishte filluar me qëllim të skalitjes së muskujve dhe mirëmbajtjes së shëndetit, por tani i është shndërruar në profesion dhe njohuritë e veta i shfrytëzon për t’u ndihmuar tjerëve, me qëllim që edhe ata t’i arrijnë rezultatet të cilat i dëshirojnë dhe të krijojnë shprehi të shëndetshme të jetesës.

Maliqi, i cili dashurinë për fitnesin e ka kombinuar me studimet e tij në drejtimin e fizioterapisë në UP, është i angazhuar edhe si teknik i dhëmbëve, por pavarësisht ngarkesave ditore ai gjithmonë gjen kohë për palestër.

Në një intervistë për Telegrafin, Maliqi ka dhuruar këshilla të shumta për fillestarët dhe për të gjithë personat të cilët duan të kenë një stil të tillë të jetesës.

Siç e dimë, ushtrimet fizike janë të ndara në dy grupe: ushtrimet fizike me peshë të trupit dhe ushtrimet fizike me peshëngritje (tega), por a mund të na tregosh se cila nga këto është më efektive, apo secila nga këto dyja e ka rëndësinë e vet?
Mund të them që secila ka rëndësinë e vet dhe aplikimi i tyre varet më shumë nga qëllimi dhe preferenca e individit. Ushtrimet me peshë trupore nga shumë atletë konsiderohen më efektive sesa ushtrimet me pesha, për arsye se ngarkesa që peshohet në nyje është shumë më e vogël sesa tek ushtrimet e peshëngritjes, gjithashtu tek ushtrimet me peshë trupore lejohet një amplitudë më natyrale e lëvizjes se nyejve dhe dukshëm mund të ndikojnë në përmirësimin e atleticizmit, bile tek ushtrimet e avancuara me peshë trupore mund të fitosh një forcë më të madhe në gjithë trupin ngase kërkojnë angazhim shumë të madh të të gjithë muskujve.A do të thotë kjo se për ndërtim më të shpejt të muskujve dhe definim më të mirë të tyre, është më mirë të ushtrohet me peshë trupore?
Kur është fjala për ndërtimin e muskujve dhe të pasurit një trup të bukur, muskulor, simetrik e me muskuj në proporcion, ushtrimet me peshë trupore nuk janë zgjedhja e duhur, për arsye se këto ushtrime kanë më shumë si bazë përsëritjet e larta që më shumë i referohen rritjes së qëndrueshmërisë së muskujve. Ndërtimi i muskujve dhe forcimi i tyre kërkon vazhdimisht ngarkesë progresive, që do të thotë se muskujt duhet të sfidohen me një peshë më të madhe se pesha paraprake. E kjo më së miri arrihet me ushtrimet me pesha, gjegjësisht ushtrimet e llojit piramidë me përsëritje 6-12. Si fillestarët ashtu edhe të avancuarit në ushtrimet me peshë trupore shumë shpesh i aplikojnë ushtrimet me pesha me përsëritje te ulëta në rutinën e tyre stërvitore në mënyrë që të fitojnë më shumë forcë. Pra, dy llojet e ushtrimeve janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, dhe sipas mendimit tim, asnjë lloj i ushtrimeve ose sporteve nuk është më i mirë se tjetri përderisa të gjitha sportet kontribuojnë në shëndetin e njeriut.

LEXONI DHE:  LAJMI I FUNDIT: Dorëheqje nga Zinedine Zidane

Shpeshherë e kemi dëgjuar shprehjen se muskujt e barkut ndërtohen në kuzhinë e jo në palestër, prandaj a mund të na tregosh ti, si trajner fitnesi profesionist, se sa e vërtetë është kjo thënie?
Po, e kam dëgjuar këtë thënie shumë herë, dhe shumica e njerëzve e keqkuptojnë, për mendimin tim. Muskujt e barkut ndërtohen kur bën ushtrime si deadlift, squat, ab crunches, leg raises – pra kur muskujt i nënshtrohen tensionit. Këto u japin muskujve të barkut formësim, forcim dhe definim. Ndërsa “kuzhina” ndihmon në ‘shfaqjen’ e muskujve, pasi që me një pjatë të pasur me proteina, karbohidrate dhe yndyra të shëndetshme arrihet shkrirja e shtresës dhjamore rreth tyre, gjë e cila i vë në pah “kockat”.

Ushqimi i shëndetshëm është esencial, por nëse nuk keni muskuj të zhvilluar mirë, atëherë nuk do të mund ta arrini rezultatin e dëshirueshëm. Përderisa tjerët thonë: “80 për qind dieta dhe 20 për qind ushtrimet”, unë them se duhet 100 për qind përkushtim ndaj dyjave.

LEAVE A REPLY