1.600 administratorë në kontrollë mjekësorë, për 1 vit harxhohen kot 7.5 milion euro!?

Shkup, 9 mars – Pas deklaratës së ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës publike se 1600 të punësuarve sipas Marrëveshjes së Ohrit, do t’u gjenden vende të punës, disa administratorë kanë filluar të kryejnë kontrollin shëndetësor sistematik në një nga poliklinikat e Shkupit. U përpoqëm të flasim me ta, por të rrallë ishin administratorët që pranonin të flisnin para kamerës.

“Gazetari: Çfarë keni punuar deri tani?

Administratori: Nuk kam punuar asgjë.

G: Nuk punon në administratë publike?

A: Jo.

G: Po pagë keni marrë?

A: Po pagë kemi marrë 2-3 vjet por ende nuk na kanë thirrë për punë.

G: Ku mendoni se do t’ju çojnë?

A: Në Kërçovë.

G: Në çfarë sektori?

A: Ende nuk e di.

G: Ju çfarë shkolle keni mbaruar?

A: Juridik.

G: Ku mendoni se mund të punoni?

A: Nuk e di. Ende nuk na kanë thirrur për vende pune. Tash po presim diçka…”

Disa nga administratorët që nuk pranuan të flasin para kamerës, jashtë objektivit na shpjeguan se kanë 4 ose më shumë vite që marrin rrogë duke qëndruar në shtëpi. Ata gjithashtu na treguan se tani po presin të risistemohen në sektorë të ndryshëm, por se nuk e dijnë saktë se ku.

Për risistemimin e tyre dje foli Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Damjan Mançevski. Sipas tij nuk dihet saktë se deri kur do të zgjasë ky proces dhe se shumë prej të risitemuarve mund të mbeten të pakënaqur.

“Duhet të dini se diku nuk do të mund të gjejmë mirëkuptim nga njerëzit sepse për ta nuk do të jetë e pranueshme ajo që do u propozohet. Në këtë rast do të zbatohen dispozitat ligjore, ku këta njerëz vendosen në lista transferuese, pra nuk do të largohen nga puna por do të jenë në dispozicion të institucioneve të tjera, do të marrin oferta si gjithë ata që vijnë në listat e transferimit në administratën publike”, u shpreh Damjan Mançevski, Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë Publike.

LEXONI DHE:  Policia e Kosovës ndërhynë në “Sabota”, ndërprenë muzikën kurde

Mançevski gjithashtu lajmëroi se risistemimi i këtyre personave nuk do të bëhet vetëm në administratë publike por në tërë sektorin publik, gjë që nënkupton se mund të fillojnë punë në shkolla, institucione shëndetësore ose ndërmarrje publike, punë që jo domosdoshmërisht duhet të pranohet nga personat në fjalë.

Administrata publike ka qenë një prej sektorëve më të kritikuar të Maqedonisë nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të mbigarkesës me të punësuar. Nëse marrim parasysh që paga mesatare në Maqedoni është 24 mijë denarë dhe nëse këtë e shumëzojmë me 1600, pra numrin e administratorëve që marrin rrogë duke qëndruar në shtëpi, dalim në përfundim se për një muaj nga buxheti i shtetit dalin 38 milion e 400 mijë denar. Kjo shumë, e shumëzuar me 12 muaj të vitit jep rezultat prej 460 milion e 800 mijë denarë, që të shpehura në euro janë mbi 7 milion e 500 mijë euro, paga të paguara në një vit, për administratorë që kanë përfituar nga buxheti i shtetit pa kryer asnjë punë.

GRAFIKË:

24 000 x 1600 = 38 400 000

38 400 000 x 12 muaj = 460 800 000

LEAVE A REPLY